Fauci thotë se nevojiten tri doza vaksinimi për mbrojtje të plotë nga Covid-19
Me rritjen e fundit të rasteve me Covid-19, SHBA mund të fillojë të shpërndajë doza të treta vaksinimi, në pritje të autorizimit nga FDA. Kësisoj, ka të ngjarë që të injektohen tri doza të vaksinës që të arrihet imunizim i plotë, bëri me dije Anthony Fauci.
Ai citoi dy studime me bazë në Izrael që treguan një rënie të infeksioneve tek njerëzit që morën një dozë të tretë ose përforcuese, raporton CNN.
Një dozë e tretë “në të vërtetë do të jetë e qëndrueshme, dhe nëse është e qëndrueshme, atëherë ka shumë të ngjarë që një regjim me tre doza të jetë regjimi rutinor,” tha Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të alergjisë dhe sëmundjeve infektive, në një konferencë të enjten.
Në fund të fundit i takon Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave të vendosë nëse amerikanët duhet të marrin tre doza të vaksinës Covid-19, tha Fauci.