Faza e dytë fillon më 18 maj, hapen këto biznese
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një konference për media së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë me dije se faza e dytë e rihapjes së vendit do të fillojë më 18 maj, ashtu siç ishte paraparë.
“Nga e hëna do të rihpahen këto biznese: floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti ‘merre me vete’, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka njoftuar se në fazën e dytë më 18 maj, do të shtohet edhe nga një orë në lëvizjen e qytetarëve, katër orë gjithsej.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vita, tha se qytetarët duhet të vazhdojnë t’iu përmbahen masave dhe rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Faza e parë e lehtësimit të masave në Kosovë ka nisur më 4 maj.
Deri më tash, Kosova ka konfirmuar 945 raste me koronavirus; prej tyre 690 janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.
(Q.R / Epoka e re)