Fazli Hoxha: Askush nuk mund ta pengojë transformimin e FSK-së
Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate dhe kryetari i degës së kësaj partie në Gjakovë, Fazli Hoxha, ka thënë se askush nuk mund ta pengojë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri.
Ky reagim i tij ka ardhur pas kërkesës së një numri të pjesëtarëve të komunitetit serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për largim nga kjo forcë.
“Një numër i pjesëtarëve të komunitetit serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) këto ditë ka paraqitur kërkesën për largim nga kjo forcë, për shkak të, siç është thënë, kërcënimeve dhe presioneve nga Beogradi. Pjesëtarët e FSK-së nga komuniteti serb janë shumë mirë të integruar në nivel të përgjegjësive dhe detyrave të tyre në kuadër të FSK-së, por këta pjesëtarë kanë rënë pre e shantazheve dhe kërcënimeve të bëra nga Beogradi zyrtar që synim ka pengimin e ecjes dhe zhvillimit të FSK-së, por që kjo nuk do të ndodhë”, ka shkruar Hoxha në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se FSK-ja ka qenë dhe do të mbetet në shërbim të qytetarëve, pa dallim etnie.
“Transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës nuk do të ndalet nga askush, sepse është e drejtë legjitime e një shteti të pavarur për të pasur forcat e saja të armatosura. FSK-ja ka qenë dhe do të jetë në shërbim të qytetarëve të saj, edhe të komuniteteve që jetojnë në Kosovë. FSK-ja është forcë e cila i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë, e cila po ecën duke u zhvilluar në përputhje me standardet e NATO-s dhe në një të ardhme të afërt do të jetë anëtare e saj”, ka shkruar Hoxha.
/Epoka e re/