Fazli Hoxha: Nisma është pro autostradës së Dukagjinit të tipit të hapur
Kandidati për deputet i Nismës Socialdemokrate, Fazli Hoxha, në emisionin “Pressing” në T7 ka prezantuar pikat e programit të koalicionit Nisma-AKR-PD për qytetin e Gjakovës.
Hoxha ka thënë se Nisma ka një plan të detajuar për projekte të ndryshme në Komunën e Gjakovës.
Duke folur rreth debatit për autostradën e Dukagjinit, Hoxha ka thënë se Nisma Socialdemokrate është pro autostradës së Dukagjinit, por që ajo të jetë e tipit të hapur, pasi sipas tij shumë biznese janë në atë rrugë dhe me lëvizjen e trasesë shumë prej tyre do të falimentojnë.
“Nisma garanton Autostradën e Dukagjinit. Por duhet të jetë e hapur e jo e mbyllur. Nuk bën të mbyllet autostrada për shkak se do të shkatërronte bizneset e shumta që ndodhën gjatë rrugës në ato pjesë. Kjo do të dëmtonte familjet. Si Nismë jemi për Autostradës së tipit të hapur”, ka thënë ai.
Hoxha ka lavdëruar liderin e partisë Fatmir Limaj që sipas tij është meritori për rrugët që ka shtruar në Kosovë sa ishte ministër i Transportit.
Ai ka thënë se 80 për qind e rrugëve janë shtruar në asfalt sa ishte Limaj ministër i Transportit.