Fazli Hoxha takon Zafën, i jep mbështetje në garën për deputet
Anëtari i Kryesisë së Nismës dhe kryetar dege i saj në Gjakovë, Fazli Hoxha, ka takuar sot kandidatin për deputet nga koalicioni AAK-Nisma, Zafir Berishën.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka ftuar qytetarët ta votojnë Zafir Berishën më 9 shkurt.
“Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit kanë një rëndësi të madhe për ta bërë ndryshimin e domosdoshëm që i duhet Kosovës. Në garën për deputet ka shumë kandidatë që kanë vlera, e që në kohë të ndryshme kanë dhënë shumë për vendin. Njëri ndër ta është edhe miku im dhe bashkëluftëtari Zafir Berisha. Kontributi i tij për këtë vend është i shumëfishtë, duke u nisur nga lufta çlirimtare, pavarësia e shtetit tonë dhe pastaj kontributi i tij i pandalshëm në shtetndërtim. Ftoj të gjithë ata shokë e dashamirë që më 9 shkurt mos ta harrojnë numrin 14 – Për Kosovën Fituese 137”, ka shkruar Hoxha.