Fazlija: Kjo është arsyeja pse humbëm nga Rusia
Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka pësuar humbje nga Rusia, me rezultat 5-0 në ndeshjen e zhvilluar sonte në “Brita Arena” në Wiesbaden, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2021.
Përzgjedhësja Afërdita Fazlija, ka thënë futbollistet “dardanet” kanë pësuar humbje përshkak se Rusia është në nivel me të lartë se Kosova.
“Realisht u pa që Rusia është nivel më i lartë se ne. Megjithatë mund ta konsiderojmë edhe si një ditë të pafat. Morëm gol në minutën e parë nga një aksion i paqenë. E njëjta situatë ndodhi edhe te goli i dytë. Është problem kur ke përballë një kundërshtar që ka nivel më të lartë dhe ta nisësh ndeshjen me një gol. Kjo na ndodhi neve. Lojtaret u përpoqën të bëjnë diçka në vazhdim, por për çudi disa pika të forta që i kemi sonte dështuan. Me një fjalë morëm gola nga asgjëja. Përkundër që edhe në disa periudha edhe ne krijuam raste, u pa që përvoja e bënë të veten dhe neve si ekip i ri na mbetet të vazhdojmë të punojmë shumë. Nuk mendoj që loja ishte për t’i pësuar pesë gola, por ja që në futboll ndodh kjo. Gjithsesi, duhet ta kuptojmë se kjo është rruga e kombëtareve të vogla, këto janë sfidat që duhet t’i kalojmë. Tash na mbetet që të mobilizohemi për ndeshjen me Slloveninë dhe të japim më të mirën tonë”, ka thënë Fazlija.
/Epoka e re/