Fazliu: Duam fitore në ‘Zahir Pajaziti’
Astrit Fazliu ka konfirmuar se Feronikeli edhe ndaj Llapit do ta kërkojë fitoren në Podujevë.
Një nga futbollistët kryesorë të Feronikelit në këtë kampionat, Astrit Fazliu, ka thënë për “Epokën e re” se skuadra lidere e IPKO Superligës udhëton të mërkurën për fitore në Podujevë. Llapi dhe Feronikeli të mërkurën nga ora 16:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti” e zhvillojnë derbin e javës së parafundit në këtë edicion garash. “Ne jemi mirë të përgatitur për ndeshjet e fundit. Të gjithë e dimë rëndësinë e pikëve si për ne, po ashtu edhe për Llapin, por Feronikeli si në çdo ndeshje tjetër udhëton për fitore. Kundërshtari ka skuadër cilësore dhe do të jetë ndeshje e vështirë për të dy klubet dhe interesante për publikun”, ka thënë Fazliu, i cili ka konfirmuar se “Nikli” në këtë ndeshje nuk do të ketë mungesa.
Ish-sulmuesi i Prishtinës dhe disa skuadrave të tjera në Kosovë e Shqipëri ka thënë se ndeshja që zhvillohet në Drenas në mes të Feronikelit dhe Prishtinës mund të jetë përcaktuese për titullin e kampionit për edicion 2018/19. “Është mirë që ne luajmë si vendës ndeshjen e fundit kundër Prishtinës në Drenas. Ajo ndeshje mund të jetë përcaktuese për titull të kampiones në Superligë”, ka deklaruar Fazliu.
Feronikeli aktualisht është në pozitën e parë, me dy pikë më shumë se skuadra e Prishtinës që pozicionohet e dyta në renditjen tabelore, kurse Llapi është në pozitën e tretë me pesë pikë më pak. Skuadra e Feronikelit ka pasur një sezon fantastik deri më tash, pasi është kualifikuar edhe në finale të Kupës, ku përballet me skuadrën e Trepçës ’89, më 25 maj në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndërsa të mërkurën do të zhvillohen edhe tri ndeshje të tjera dhe takohen: Prishtina-Trepça ’89, Drita-Flamurtari dhe Drenica-Ballkani.
/Veton ZYMBERI/