Fazliu: Feronikeli përmbi Prishtinën
Astrit Fazliu ka thënë për “Epokën e re” se Feronikeli do ta fitojë ndeshjen e mbetur të xhiros së dhjetë në elitë kundër Prishtinës. Ai beson se “Nikli” është përmbi skuadrën kryeqytetase për nga cilësia në këtë edicion garash. “Prishtina është një ekip që lufton çdo vit për trofe, por nëse analizojmë ekipet për këtë edicion, mund të them lirisht se jemi më lart se Prishtina”, ka thënë Fazliu.
Një nga lojtarët më të mirë vitet e fundit në futbollin e Kosovës, Astrit Fazliu, ka kërkuar fitore në derbin e mbetur të xhiros së dhjetë ndaj Prishtinës, i cili zhvillohet të mërkurën nga ora 15:30. Fazliu ka thënë se “Nikli” është i favorizuar nga terreni vendës por, pavarësisht prej kësaj, synim i liderëve të elitës në çdo takim është fitorja, përfshirë edhe ndeshjen ndaj Prishtinës. “Të mërkurën takohen dy skuadrat më të mira në këtë edicion, Feronikeli dhe Prishtina, në ndeshjen e mbetur. Ne jemi mobilizuar maksimalisht dhe me seriozitetin me të madh i kemi marrë si ndeshjet e lehta ashtu edhe ato të vështira. Jemi të favorizuar nga terreni vendës, prandaj synimi ynë si në çdo ndeshje tjetër është fitorja”, ka thënë Fazliu për “Epokën e re”.
Sulmuesi që edicionin e kaluar u shpall kampion me skuadrën e Prishtinës në të kaluarën ka qenë pjesë e Prishtinës. Ai ka thënë fjalë të mira për ish-skuadrën, por për këtë edicion beson se Feronikeli ka skuadër më cilësore. “Prishtina është një ekip që lufton çdo vit për trofe, por nëse analizojmë ekipet për këtë edicion, mund të them lirisht se jemi më lart se Prishtina”, ka thënë Fazliu.
Astrit Faziu që ka bërë karrierë edhe në futbollin shqiptar, pret përkrahje të madhe nga tifozët “tigrat e zi”, pasi të mërkurën në Drenas përballen dy skuadrat e para në renditjen tabelore.
“Kjo ndeshje nuk është vendimtare për titull, por ka rëndësi të madhe për dy klubet, për faktin se secili prej tyre synon ta marrë maksimumin për të qenë sa më mirë me pikë në tabelën e klasifikimit, prandaj edhe interesimi tek shikuesit besoj se do të jetë i madh. Pres përkrahje edhe më të madhe nga tifozët tanë në këtë ndeshje dhe në fund do t’i gëzohemi fitores”, ka deklaruar Fazliu.
Në ndeshjen e fundit, të vlefshme për xhiron e 14-t, Feronikeli e mposhti Ballkanin me rezultat 0-1, kurse me rezultat të njëjtë fitoi edhe Prishtina në Skenderaj ndaj Drenicës. Aktualisht “Nikli” pozicionohet në pozitën e parë me 32 pikë të grumbulluara, duke regjistruar dhjetë fitore, dy barazime dhe një humbje. Ndërsa skuadra “bardhekaltër” është e dyta me dy pikë më pak, kurse ka regjistruar nëntë fitore, tri barazime dhe një humbje.
/Veton ZYMBERI/