Fazliu: Katër pikë nuk janë shumë, duhet të vazhdojmë me fitore

28 qershor 2020 | 12:57

Sulmuesi Astrit Fazliu ka thënë për “Epokën e re” se dallimi prej katër pikëve me skuadrën e dytë në tabelë nuk duhet ta vetëkënaqë klubin gjilanas pasi ende ka shumë ndeshje për t’u zhvilluar.

Skuadra e Dritës me tri pikët e marra nga Vushtrria dhe me barazimin e Prishtinës në ndeshjen kundër Llapit e ka rritur epërsinë në katër pikë. Gjithashtu, në favor të Dritës ishte edhe barazimi i Ballkanit në përballje me Ferizajn. Pavarësisht prej dallimit në katër pikë me skuadrën e parë përcjellëse, sulmuesi i Dritës, Astrit Fazliu, ka qenë mjaft i matur në deklaratën e tij lidhur me titullin e kampionit në IPKO Superligë për edicionin 2019/2020.

“Është shumë mirë për skuadrën e Dritës dallimi prej katër pikëve me skuadrën e dytë, por kjo nuk do të thotë se jemi favoritë absolutë në garën për titull të kampionit në elitë, sepse ka edhe shumë ndeshje për t’u zhvilluar dhe në futboll mund të ndodhë gjithçka”, ka thënë Fazliu për “Epokën e re”. “E vërteta është se jemi në pozicion më të mirë se kundërshtarët, po ashtu edhe forma e skuadrës është e lartë. Ne do të përpiqemi ta japim maksimumin në secilën ndeshje dhe do të shkojmë ndeshje pas ndeshje deri në fund të kampionatit dhe besoj se do t’ia arrijmë qëllimit”, ka shtuar Fazliu.

Ndeshjen e radhës Drita e zhvillon të dielën kundër Dukagjinit në Gjilan. Sulmuesi me përvojë të madhe në futbollin e Kosovës, Astrit Fazliu, ka konfirmuar se nga kjo ndeshje synohen tri pikët e reja. “Ne e respektojmë Dukagjinin edhe pse është në pozitën e fundit në tabelë. Ky klub ka treguar se mund të jetë i vështirë për t’u mposhtur, por ne kemi ambicie të mëdha dhe nuk guxojmë të gabojmë në këtë ndeshje”, ka deklaruar ai.

Drita nga 26 ndeshjet e zhvilluara ka regjistruar 17 fitore, 4 barazime dhe 5 humbje, duke u renditur në pozitën e parë me 55 pikë.

(Veton ZYMBERI)

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Ekrem Bardha I nderuari zoti president Thaçi, E di…