Fazliu: Në ‘Fadil Vokrri’ luajmë edhe për Kosovën
Astrit Fazliu për “Epokën e re” ka thënë se Feronikeli do të luajë edhe për Kosovën të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj TNS-së.
Skuadra e Feronikelit ka regjistruar një rezultat të mirë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj The New Saints pasi, pavarësisht që ishte duke humbur me rezultat 2-0, arriti që në pesë minutat e fundit ta barazojë rezultatin në 2-2. Tash skuadra kampione e Kosovës ka rastin historik që të kualifikohet në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Lojtari më i mirë i “Niklit” në ndeshjen e parë në Uellsit ishte Astrit Fazliu, i cili realizoi edhe golin e barazimit nga penalltia. I kontaktuar të enjten nga “Epoka e re”, Astrit Fazliu ka thënë se të gjithë futbollistët e Feronikelit do ta japin maksimumin për t’u kualifikuar në ndeshjen që zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”, pasi në këtë ndeshje nuk luhet vetëm për këtë klub, por për futbollin e Kosovës në përgjithësi. “Ne do ta japim maksimumin që ta kalojmë skuadrën e TNS-së, pasi këtu nuk po luajmë vetëm për klubin tonë, por për futbollin e Kosovës në përgjithësi. Kemi pasur paraqitje të mirë, sidomos në fund të ndeshjes. Shpresoj se edhe të martën të luajmë ashtu dhe të kualifikohemi”, ka thënë Fazliu.
Sulmuesi me përvojë të madhe pret që të martën përkrahja të jetë e madhe për skuadrën e Feronikelit. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme, prandaj presim të kemi përkrahje të madhe dhe ndeshjen ta rikthejmë në spektakël sportiv, pasi kualifikimi ynë në rrethin e dytë është historik për Feronikelin dhe Kosovën”, ka deklaruar ai.
Ish-sulmuesi i Ferizajt, Prishtinës, Ulpianës, Shkëndijës, Dritës dhe Partizanit, ka thënë se goli i shënuar ndaj TNS-së ka qenë ndër më të rëndësishmit në karrierën e tij futbollistike. “Goli i shënuar ndaj TNS-së ka qenë ndër më të rëndësishmit në karrierën time, pasi kam shënuar edhe shumë gola të tjerë që kanë pasur peshë të madhe. Shpresoj që të shënoj sërish dhe të kualifikohem në rrethin tjetër”, ka përfunduar Fazliu. Ky është edicioni i dytë për 31-vjeçarin në skuadrën nga Drenasi.
/Veton ZYMBERI/