Fazliu: Nëse vazhdojmë kështu, mbijetesa nuk është problem
Me të përfunduar stinori vjeshtor në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, të gjithë ishin të bindur që Ferizaj tashmë është skuadër që nuk mund të mbijetojë. Madje kishte zëra se Ferizaj edhe do ta prish garën pasi në pranverë do të jetë ekip i dorëzuar, raporton “Demokracia.com”.
Megjithatë në katër javët e para po ndodh diçka krejt tjetër, dy fitore dhe dy barazime bën që Ferizaj t’i shmanget vendit të fundit në tabelë dhe tash është i parafundit me 21 pikë të tubuar. Ferizaj është shndërruar në një ekip tejet të fortë dhe këtë më se miri mund ta dëshmojnë Prishtina e Drita që i mposhti duke u marrë pikë të plota. Sulmuesi me përvojë, Astrit Fazliu ka treguar atmosferën që po mbretëron në ekip dhe pritshmëritë e tyre në pranverë.
“Realisht kemi bërë diçka që askush nuk e ka pritur. Një fillim mbresëlënës, por jemi te vetëdijshëm se nuk ka përfunduar asgjë dhe ka ende shumë punë për t’u bërë deri në fund”, ka thënë Fazliu. Gjithsesi, pa një atmosferë të mirë këto rezultate as nuk do të mendoheshin, por atmosferën e mirë e krijojnë financat stabile. Ferizaj tash për tash njihet si njëra ndër skuadrat më korrekte sa i përket pagave, dhe se lojtarët të gjithë fokusin e kanë vetëm tek puna.
“Atmosfera është shumë e mirë. Po mundohemi secili të japim atomin e fundit që të arrijmë objektivin tonë, mbetjen në Superligë. Nëse arrijmë të mbajmë këtë ritëm, them se nuk do të jetë problem mbetja në Superligë”, ka përfunduar Fazliu. Ndeshjen e radhës Ferizaj e luan si mysafirë në Skenderaj ndaj Drenicës, rival ky direkt për mbijetesë dhe nëse aty merr pikë, atëherë Ferizaj do të bëjë një hap të madh drejt mbijetesës.