Fazliu: Të gjithë po rifillojnë futbollin e ne po heshtim
Kosova shumë shpejt do të hyjë në muajin e tretë që kur është ndërprerë futbolli dhe gjitha aktivitetet sportive, kjo pas përhapjes së pandemisë COVID-19.
Dhe tash kur po kompletohen 60 ditë pa sport, në shumë vende evropiane gjërat kanë nisur të sqarohen, shkruan “Zëri.info”. Bundesliga po fillon këtë fundjavë, ndërsa në fund të muajin pritet të nisin edhe shumë kampionate tjera, madje edhe këto të rajonit si Kroacia.
Edhe Shqipëria po planifikon në fund të muajit maj ta nisë kampionatin, derisa në Kosovë ende nuk ka asnjë sinjal. Kjo situatë sikur i ka lodhur futbollistët kosovarë që po vazhdojnë të punojnë individualisht dhe nuk e kanë idenë deri kur do të vazhdojnë kështu.
Futbollisti i Dritës, Astrit Fazliu ka thënë se është koha që edhe klubeve dhe futbollistëve t’u kumtohet një lajm nëse ka apo jo kampionat sivjet.
“Ka kaluar një kohë e gjatë që po ushtrojmë individualisht edhe kjo ka nisur të bëhet monotone”, ka thënë fillimisht Fazliu.
“Është e çuditshme pasi gati të gjitha vendet e botës kanë marrë vendim për të nisur, te ne ende asgjë. Mendoj se është koha që të dalin me një vendim që të dimë edhe ne që pastaj të veprojmë me planprograme se a duhet të ushtrojmë ende ose si të veprojmë”, ka thënë Fazliu.
Të kujtojmë se Federata e Futbollit e Kosovës ditë më parë i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për t’u lejuar klubeve fillimin e stërvitjeve më 10 maj, por tash kur ka kaluar 3 ditë nga ajo datë FFK-ja nuk ka marrë ende asnjë përgjigjeje dhe kjo heshtje duket se po i dërmon futbollistët tanë.