FBI: Hakerët po ndjekin punën e hulumtuesve të vaksinës kundër COVID-it
Një zyrtare e lartë e FBI-së për sigurinë kibernetike tha se hakerë të qeverive të huaja kanë ndërhyrë në rrjetet e kompanive që kryejnë kërkime për kura të mundshme për COVID-19, sëmundjen e frymëmarrjes që shkakton koronavirusi.
Zv/ndihmësdrejtoresha e FBI-së, Tonya Ugoretz, u tha pjesëmarrësve në një panel në internet të organizuar nga Instituti Aspen, se FBI-ja kohët e fundit kishte parë hakerë të mbështetur nga shtete të huaja që gjurmonin përreth një seri institucionesh të kujdesit shëndetësor dhe institucionesh kërkimore.
“Ne sigurisht kemi parë veprimtari zbulimi dhe një numër ndërhyrjesh në disa nga këto institucione, veçanërisht ato që e kanë identifikuar publikisht veten se janë duke bërë punë kërkimore për COVID-in”, tha ajo.
Ugoretz tha se është e kuptueshme që institucionet që punojnë për kura premtuese ose një vaksinë të mundshme të lajmërojnë publikisht për punën e tyre.
Sidoqoftë, tha ajo se ana e trishtë është se kjo i bënë ata një objektiv për shtetet e tjera që janë të interesuara të grumbullojnë detaje të sakta rreth asaj që po bëhet dhe, ndoshta, edhe të vjedhin të dhënat e pronësisë intelektuale nga këto institucione.
Ugoretz tha se hakerët e mbështetur nga shteti shpesh e kanë pasur në shënjestër industrinë bio-farmaceutike, por tha se “sigurisht që kjo është shtuar gjatë kësaj krize”.
Ajo nuk përmendi vende specifike ose identifikoi organizata të synuara.
Ugoretz gjithashtu nuk identifikoi kompanitë e vëna në objektiv të sulmeve. FBI-ja nuk iu përgjigj një emai-il ku kërkoheshin komente të mëtejshme.