FBI nis hetim për “terrorizëm të brendshëm” në SHBA
Zyra Federale e Hetimit (FBI) në Shtetet e Bashkuara ka nisur një hetim të brendshëm për terrorizëm, lidhur me të shtënat që kanë ndodhur në një festival të ushqimit në Kaliforni ditë më parë, duke lënë të vdekur tre persona.
Zyrtarët kanë thënë se kanë zbuluar “listën e shënjestrave” të sulmuesit, Santino William Legan, në të cilën janë përfshirë ndërtesa fetare dhe federale.
Agjenti, John Bennett, ka thënë se Legan, 19-vjeçar, ka qenë duke “hulumtuar ideologji të dhunshme”, mirëpo FBI-ja ende nuk i ka konfirmuar motivet e sulmit.
Megjithatë, policia amerikane është duke lidhur me ideologji edhe dy të shtëna tjera me armë zjarri.
Një sulm në El Paso të Teksasit që ka ndodhur të shtunën, ka lënë të vdekur 22 persona, dhe është duke u hetuar si rast i brendshëm terrorist.
Zyrtarët për zbatim të ligjit janë duke analizuar një dokument anti-hispanik që është publikuar online, pak para sulmit.
Të martën, FBI-ja ka thënë se edhe sulmuesi i Ohajos, ku kanë vdekur nëntë persona të dielën, ka përkrahur “ideologji të dhunshme”.
Mirëpo zyrtarët kanë thënë se nuk kanë gjetur nëse sulmi ka qenë i motivuar mbi bazë race.
Të shtënat me armë zjarri në Festivalin e Hudhrës në Gilroy kanë qenë të parat prej tri sulmeve që kanë ndodhur në tetë ditë në SHBA dhe kanë lënë të vdekur 34 persona, pa harruar edhe më shumë se 50 të plagosur./rel/