FBK-ja dyfishon shpërblimet në ligën e femrave
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) do të vazhdojë t’i shpërblejë klubet e Superligës së Kosovës dhe Ligës së Femrave për rezultatet e arritura në edicionin 2018/19.
Në këtë mënyrë skuadra kampione e elitës së basketbollit të Kosovës do të shpërblehet me 12 000.00 euro, ndërsa ekipit nënkampion do t’i jepen 6 000.00 euro. Ndërkaq skuadrat që do të arrijnë të sigurojnë nga një vend në katërshen e madhe të elitës së basketbollit të Kosovës do të shpërblehen me nga 3 000.00 euro.
Skuadra kampione në Ligën e Femrave do të shpërblehet me shumën 4 000.00 euro, do të thotë me dy mijë euro më shumë se në dy vjetët e mëparshëm, marrë parasysh investimet që i kanë bërë disa klube të kësaj lige në këtë edicion, duke e rritur kështu cilësinë në basketbollin femëror në vendin tonë. Në këtë mënyrë, krahas të hollave nga të drejtat televizive që u ndahen klubeve të Superligës së Kosovës, Bordi i FBK-së vazhdon t’i mbështesë skuadrat e elitës së meshkujve dhe femrave për t’i inkurajuar, por edhe për t’i ndihmuar sadopak për mbulimin e shpenzimeve.