FBK-ja falënderon organizatorin e ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës
Nga 3 deri më 7 shkurt palestra “13 Qershori” ka qenë arenë e ndeshjeve të basketbollit të Kosovës, ku është organizuar “Final 8” i Kupës së Kosovës, finalja e Kupës në konkurrencën e femrave dhe Final 4 i Ligës së Parë të meshkujve. Në këto kushte të pandemisë me Covid-19 nuk ka qenë aspak e lehtë që të organizohet një ngjarje e tillë por, falë angazhimit të të gjithëve, një gjë e tillë është mundësuar. Me këtë rast Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dëshiron t’i falënderojë të gjithë pjesëmarrësit e kësaj ngjarje.
FBK-ja falënderon klubin organizator Golden Eagle Ylli për përpjekjet maksimale që kjo ngjarje të shkojë siç është më së miri. “Një falënderim shkon për të gjitha klubet pjesëmarrëse në garat e Kupës dhe korrektësinë e treguar në këto ndeshje, si dhe për gjyqtarët e ndeshjes të cilët gjatë ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës kanë qenë njëkohësisht të angazhuar në Klinikën e organizuar veçmas për ta, në mënyrë që ndarja e drejtësisë në këtë ngjarje shumë të rëndësishme për FBK-në të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
Federata e Basketbollit ka falënderuar edhe Policinë e Kosovës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrinë e Shëndetësisë për gatishmërinë për të ndihmuar në organizim dhe punën që kanë bërë gjatë gjithë “Final 8”. “Ndeshjet do të ishin të mangëta pa transmetimin e partnerit medial ‘Kujtesa’, që ka mundësuar transmetimin e tyre, në një kohë kur nuk lejohen tifozët në palestër. Po ashtu, ‘Kujtesa’ ka realizuar edhe Highlights dhe intervistat pas ndeshjes, duke i përjetuar edhe më shumë këto takime. Gjithashtu, falënderojmë mediat për korrektësinë e treguar dhe raportimin nga dita e parë deri në finale. Edhe pse e kishin të pamundur të ishin në palestër, me shkrimet dhe kronikat u kanë mundësuar lexuesve dhe shikuesve të kuptojnë se çfarë po ndodh në ‘Final 8’”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
/Epoka e re/