FBK-ja ka prioritet zhvillimin dhe masivizimin e basketbollit 3×3
FIBA 3×3 Challenger Prishtina dhe FIBA 3×3 Womens’s Series do të organizohen më 14, 15 dhe 16 korrik 2023 në Prishtinë. Të dy këto aktivitete do të organizohen nga klubi 3×3 Prishtina në mbështetje të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Kosovës (MKRS) dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK). Kjo është hera e dytë me radhë që FIBA 3×3 Challenger Prishtina do të organizohet në kryeqytetin tonë, derisa do të jetë hera e parë që një garë e nivelit të lartë në konkurrencën e femrave në garat 3×3 siç është FIBA 3×3 Women’s Series të organizohet në Prishtinë. Në FIBA 3×3 Challenger Prishtina do të marrin pjesë 12 ekipe nga jashtë vendi dhe 4 nga Kosova (përmes Wild Card).
FIBA 3×3 Challenger Prishtina do të jetë një prej 10 Challenger që organizohen në të gjithë botën. Ndërkaq FIBA 3×3 Womens’s Series është ngjarja numër 1 në basketbollin 3×3 të femrave. Edicioni i kësaj gare fillon në muajin maj dhe përfundon në muajin shtator, me turne të organizuar në 12 qytete të ndryshme të botës. “Për Federatën e Basketbollit të Kosovës zhvillimi i basketbollit 3×3 në të gjitha aspektet si në masivizim ashtu edhe në aspektin komercial është prioritet për vitin 2023 e më tutje. Federata e Basketbollit e Kosovës sivjet për herë të parë do të fillojë me organizimin e garave shkollore në basketbollin 3×3, ku do të startojë me 10 shkolla në 10 komuna, në formë të pilot-projektit duke i angazhuar rreth 25 mijë fëmijë qysh në vitin e parë, më pas për çdo vit do të shkojë duke u rritur numri i angazhimit të fëmijëve në shkolla në basketbollin 3×3”, ka thënë Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e FBK-së.
Gjithashtu, FBK-ja planifikon të kandidojë në FIBA për organizimin e FIBA 3×3 U23 Nations League, por edhe të marrë pjesë me ekipin e meshkujve dhe femrave U23. “FIBA 3×3 U23 Nations League është një garë kombëtare e FIBA 3×3 për meshkuj dhe femra nën moshën 23 vjeç, që ka filluar të organizohet që nga viti 2017. Kjo garë ofron një mundësi të mirë për talentet e të ardhmes që t’i përmirësojnë aftësitë e tyre në përgatitjen për kategorinë seniore dhe garat elitare siç janë FIBA 3×3 Kupa e Botës, Lojërat Olimpike etj”, ka shtuar Dushku.
Federatat kombëtare që marrin pjesë në këtë garë duhet të regjistrojnë 1 ekip të meshkujve dhe 1 të femrave në çdo “stacion” të FIBA 3×3 U23 Nations League. Në FIBA 3×3 U23 Nations League marrin pjesë 12 ekipe (meshkuj/femra). FIBA 3×3 U23 Nations League 2022 përmban një rekord me pjesëmarrje të 57 federatave kombëtare në këtë garë.