FBK-ja kërkon përkrahje nga bashkatdhetarët për ndeshjen e Kosovës ndaj Danimarkës
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të përkrahin Kombëtaren e Kosovës ndaj Danimarkës.
Kjo ndeshje do të zhvillohet më 26 korrik, në “Arena Naestved”.
Për “Dardanët” do të jetë ndeshja e dytë në kuadër të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”, pas asaj ndaj Zvicrës, në të cilën regjistruan fitore.
FBK-ja gjithashtu bëri të ditur se ka nisur shitja e biletave për ndeshjen Kosovë – Danimarkë. Ato mund të blihen në faqen zyrtare të danezëve.
Postimi i plotë nga FBK-së:
Thirrje për bashkatdhetarët në Danimarkë. Danimarka dhe Kosova do të përballen të mërkurën (26 korrik) në Arena Naestved nga ora 18:00. Basketbollistët e Kosovës presin përkrahje nga bashkatdhetarët që jetojnë në Danimarkë, ashtu si ka ndodhur në të gjitha ndeshjet që kanë luajtur si mysafirë.
Ky takim është shumë i rëndësishëm për rrugëtimin e Dardanëve. Ndeshja është e vlefshme për Rrethin e Tretë Parakualifikues për Eurobasket 2025.
Biletat kanë dalë në shitje dhe mund t’i blini në uebfaqen zyrtare të Danimarkës.