FBK-ja nderon me mirënjohje klubin 3×3 Prishtina
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, dhe sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku, kanë pritur në takim përfaqësuesit e klubit 3×3 Prishtina, Fikret Shatri dhe Fisnik Juniku.
Në këtë takim, u nderua klubi 3×3 Prishtina me një mirënjohje të veçantë nga kryetari Fetahu, si shenjë falënderimi për angazhimin dhe organizimin e suksesshëm të eventeve të basketbollit 3×3, duke promovuar këtë kategori të rëndësishme të sportit. Gjatë diskutimeve, u theksua rëndësia e vazhdimit të organizimeve të ngjashme, jo vetëm për pjesën e mbetur të këtij viti, por edhe për vitet e ardhshme.
FBK-ja ritheksoi përkushtimin e saj për të mbështetur çdo iniciativë që ndihmon në promovimin dhe zhvillimin e basketbollit në Kosovë. Kujtojmë që këtë verë, Kosova ka qenë nikoqire e tre ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare të basketbollit 3×3: FIBA 3X3 Europe Cup Qualifier, FIBA 3X3 Women’s Series, dhe FIBA 3X3 Challenger Prishtina, dy të fundit të organizuar nga 3×3 Prishtina në përkrahje nga FBK-ja.
Këto organizime kanë shërbyer si dëshmi e kapaciteteve të Kosovës për të pritur dhe organizuar evenimente të këtij niveli, duke ngritur profilin e basketbollit 3×3 në vendin tonë. FBK-ja mbetet e angazhuar në përkrahjen e aktiviteteve që rrisin popullaritetin dhe cilësinë e basketbollit në Kosovë, duke siguruar se çdo hap në këtë drejtim do të ketë mbështetjen e saj të plotë.