FBK-ja shpall konkurs për organizimin e Superkupës
Federata e Basketbollit të Kosovës ka shpallur konkurs për organizimin e Superkupës së Kosovës. Superkupa do të zhvillohet nga 7 deri 11 shtator të këtij viti, dhe tashmë ky institucion ka paraqitur edhe kriteret e nikoqirit: Konkursi do të jetë i hapur deri më 21 gusht. Federata e Basketbollit ka njoftuar se të drejtë konkurrimi kanë të gjithë personat juridik që përmbushin kushtet e këtij konkursi dhe dispozitat e parapara në Udhëzuesin për Organizim të Superkupës së Kosovës – Meshkuj.
FBK-ja ka njoftuar se disa nga kushtet që duhen të përmbushen për të konkurruar për organizimin e këtij eventi janë: “Të mos ketë obligime të pakryera ndaj FBK-së, të sigurojë kushte për zhvillimin e ndeshjeve sipas rregullave të lojës së FIBA-s, të sigurojë medaljet, kupat dhe trofetë për fituesit dhe finalistët e Kupës në të dyja konkurrencat, dizajnin e të cilave e përzgjedh FBK-ja, të mbulojë shpenzimet për personat zyrtarë për të gjitha ndeshjet e Superkupës, ti përmbahet në përpikëri dispozitave të Udhëzuesit për Organizim të Superkupës Kosovës për marketing në palestër dhe në transmetime televizive, të sigurojë prezencë të mjaftueshme të forcave policore dhe pjesëtarëve të sigurimit privat në të gjitha ndeshjet e Superkupës, ti përmbahet dispozitave tjera të Udhëzuesit për Organizim të Superkupës, të nënshkruaj kontratë me FBK-në ku do të specifikohen detajet e organizimit si dhe obligimet e të drejtat e palëve”.