FC Drenica: Jemi krenarë me arritjet e Rrahmanit
Ylli i Kombëtares së Kosovës në futboll, Amir Rrahmani, mbrëmë ka fituar titullin e kampionit të Serie A me skuadrën e Napolit.
Rrahmani ishte ndër lojtarët kyç në këtë rrugëtim të Napolit. Mbrojtësi nga Kosova, që dikur mbronte ngjyrat e skuadrës së Drenicës tani është pjesë e historisë së Napolit.
Pas këtij suksesi fantastik të Rrahmanit ka reaguar edhe ish-klubi i tij, FC Drenica.
“Amir Rrahmani shpallet kampion me Napolin në Serie A. Ish-lojtari ynë që fillimin e sukseseve të karrierës së tij në moshë të re e kishte te FC Drenica dhe ishte pjesë e klubit për afro dy sezone. Mbrojtësi beri paraqitje fantastike me Napolin dhe dha kontribut të madh për skuadrën napolitane për fitimin e trofeut të kampionatit elitar italian. Ne si klub, jemi krenar me arritjet e Rrahmanit dhe i dëshirojmë suksese të mëtutjeshme në karrierë!”, ka shkruar FC Drenica në faqen zyrtare në “Facebook”.