FC Ferizaj kërkon përkrahjen e tifozëve për ndeshjen me Prishtinën
Ferizaj pas dy viteve është rikthyer në elitën e futbollit kosovar aty ku po pret rezultate të mira dhe të vazhdojë të jetë pjesë e Superligës edhe në të ardhmen.
Sigurisht që për të arritur këtë skuadrës i duhet ndihmë edhe të tifozëve. Mirëpo, që në start ka lindur një problem. Tifozët “Ujqit”, kanë paralajmëruar bojkotim të ndeshjes së të dielës ku Ferizaj e pret FC Prishtinën.
“Ujqit” nuk do të jetë në stadium pasi sipas tyre kanë një mosmarrëveshje me kryesinë. Nda këtij lajmi kanë reaguar drejtuesit e klubit duke kërkuar mbështetjen e tifozëve dhe kanë mohuar çdo mosmarrëveshje me tifozët.
Komunikatë për media:
Kryesia e FC Ferizajt shprehet e shqetësuar në lidhje me një postim të grupit të tifozëve “UJQIT“, ku përmendet një mosmarrëveshje inekzistente dhe bëhet i ditur bojkotimi i ndeshjes ndaj Prishtinës.
Ne si kryesi, ashtu si çdo herë tjetër, dëshirojmë ta informojmë opinionin ferizajas, se nuk bëhet fjalë për mosmarrëveshje, e aq më pak kur ka javë që nuk kemi zhvilluar asnjë takim, qoftë edhe formal, me tifozët tonë “UJQIT“.
Prandaj duke shpresuar dhe besuar në frymën e bashkëpunimit, ftojmë secilin tifozë të FC Ferizajt, që të dielën e 21 Gushtit, të mbushim shkallët e stadiumit për të përkrahur ekipin e zemrës.
Vetëm duke rrugëtuar së bashku ne do të arrijmë objektivat tona.
Bëhuni lojtari i 12 në fushë!.