FC Ferizaj: Panadiqi do mbetet pjesë e rëndësishme e historikut të klubit
Andrej Panadiq nuk do të jetë trajner i Ferizajt për sezonin e ardhshëm. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi i Ferizajt përmes një njoftimi në faqen zyrtare.
Largimi i tij vjen pasi Ferizaj nuk arriti të siguronte qëndrimin në Superligën e Kosovës, pasi u mposht nga Liria në ndeshjen e barazhit pas ekzekutimit të penalltive.
“FC Ferizaj njofton se ka ndarë rrugët me trajnerin kroat, Andrej Panadiq dhe zëvendësin e tij, Nikola Boroe. Panadiq ishte në krye të shtabit teknik tash e 7 muaj, ku në sezonin pranveror nën drejtimin e tij, skuadra arriti të mbledhë 28 pikë. Andrej ishte fjalë pak e punë shumë. Një mentalitet i futbollit kroat, bazuar në kërkesën kryesore të tij, përgjegjësi nga secili lojtarë në fushën e lojës. E mori ekipin në një gjendje të vështirë, kur pak kush mund të besonte se do ta kapnim barazhin. Pavarësisht që misioni nuk përfundoi me sukses, Andrej Panadiq do mbetet pjesë e rëndësishme e historikut të klubit tonë”, thuhet në njoftimin e klubit që ka rënë në Ligën e Parë.
FC Ferizaj në fund e falënderoi trajnerin Panadiq, kurse ka lënë mundësinë e hapur që rrugët mund të bashkohen sërish në të ardhmen.