FC Kosova, ‘çerdhe’ e shqiptarëve në Gjermani
Klubi i Futbollit “FC Kosova” u formua në vitin 1999 në Köningswinter nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë e veprojnë në rrethinën e Su/Bonn. Qëllimi i themelimit të klubit ishte ide e mërgimtarëve që rinisë tonë t’i ofrojë aktivitete sportive edhe që të jemi më afër njëri-tjetrit në organizime.
Përveç organizimit të turnirëve, kryesia e klubit organizon edhe përgatitjen e ushqimeve tradicionale shqiptare dhe ofron mundësitë e shoqërimit dhe bashkëpunimit të bashkatdhetarëve duke ofruar kafe e qaj. Pas gjithë vështirësive dhe peripecive nëpër të cilat ka kaluar klubi nga fillimi i formimit të tij, sot ne ndihemi krenarë me kryesinë e udhëhequr nga Mustafë Ademi kryetar, Fatmir Hamza nënkryetar, Izet Nuradini arkëtar, Adem Saliukaj arkëtar, Haxhi Nuradini anëtar, Kushtrim Ademi anëtar, Ardijan Berisha anëtar, trajneri Arton Delijaj, dhe stafi tjetër i klubit.
Në vitin 2019 klubi ka festuar 20-vjetorin e themelimit me pjesëmarrjen e një numri bukur të madh të sportdashësve dhe dashamirëve të klubit, rreth 1200 pjesëmarrës, ku kishin edhe dy mysafirë të veçantë, këngëtarët e mirënjohur Shyhrete Behluli dhe Gold Ag (Arjan Agushi).
Përveç aktiviteteve sportive, kryesia e klubit, lojtarët dhe mbështetësit e ekipit kanë organizuar edhe grumbullimin e ndihmave humanitare për shkolla, persona me nevoja të veçanta, tërmetin në Shqipëri, familjet në nevojë etj. Po ashtu, FC “Kosova” ka ndihmuar edhe në ndërtimin e xhamisë në Troisdorf. Kryesia e klubit ka përgatitur plane edhe për të ardhmen e klubit dhe synimi i tyre është grumbullimi dhe angazhimi i të rinjve në ekip, përgatitja profesionale e tyre, ngritja e klubit në nivele më të larta sportive dhe plasimi i lojtarëve në treg. Se sa do të arrihet në këtë drejtim mbetet të shihet, por kryesia e klubit është duke punuar në këtë drejtim.
Deri tani klubi ka qenë mjaft i suksesshëm duke marrë pjesë në liga dhe turnirë të ndryshme edhe gjatë kësaj kohe shihen ngritjet dhe sukseset e tij. Ato suksese janë të prekshme dhe shumë reale. Gjatë periudhës 1999-2002 klubi ka zhvilluar ndeshjet në Kreis Liga C, Königswinter Niderdolendorf. Prej 2002-2017 klubi është transferuar në Menden Sankt Augustin, kurse gjatë sezonit 2017-2018 është transferuar dhe zhvillon ndeshjet në fushën sportive të FC. Augustin në Niederpleis. Gjatë kësaj periudhe klubi kishte suksese të shumta, por më të rëndësishmet janë: Tri herë ishte kampion i Kreisligës C, një herë kampion i Kreisligës B, pesë herë Stadsmeister i Sankt Augustinit në futsal për seniorë dhe juniorë. Aktualisht klubi në gara përfaqësohet nga dy ekipe: njëri në Kreis Ligen B dhe tjetrin Kreis Ligën C. Ekipi i parë në sezonin 2109/2020 është shpallur kampion dhe është ngritur në Kreis Ligen B, ku do të zhvillojë gara për të avancuar më lart. Për momentin klubi ka një personel prej rreth 70 anëtarësh, përfshirë kryesinë e klubit dhe lojtarët.
Gjatë zhvillimit të klubit, përveç lojtarëve shqiptarë, kishte lojtarë edhe të nacionaliteteve të tjera përfshirë turqit, rusët, gjermanët, marokenët, berberët, kurdët, etj. të cilët kanë dhënë kontribut në zhvillimin dhe ngritjen e klubit dhe edhe sot e kësaj dite vazhdojnë ta japin kontributin dhe potencialin e tyre në mbështetjet klubit. Për këtë, kryesia e klubit u është mirënjohës të gjithë atyre që në çfarëdo mënyre kanë dhënë kontribut dhe vazhdojnë të japin kontribut dhe e mbështesin klubin në rrugëtimin e tij drejt të ardhmes. Ky klub, kompanitë e ndryshme, shoqatat kulturore-artistike dhe organizimet e mira të mërgimtarëve janë shembull i mirë i integrimit të qytetarëve tanë në botën perëndimore, evropiane dhe janë zë i fuqishëm i kombit e i vendit, duke përfaqësuar atë denjësisht jo vetëm në bashkësitë ku jetojnë e veprojnë, por edhe në arenën ndërkombëtare. Si popull dhe si shtet kemi nevojë që gjithmonë të kemi përfaqësues dinjitozë në prezantimin e vlerave kombëtare dhe përshtatjen e tyre me vlerat përparimtare evropiane e botërore.