FC Kosova Zurich dhe AVK Bardhosh Gërvalla fituese të garave të Kupës në Zvicër dhe Gjermani
FC Kosova Zurich ka triumfuar në garën e Kupës së klubeve shqiptare në Zvicër “Union Cup”, që u organizua në Bern, nën organizimin e FC Prishtina Bern dhe Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit, e në mbështetje të FFK-së. Në ndeshjen finale, FC Kosova Zurich e mundi ekipin nikoqir, FC Prishtina Bern, pas një loje tejet interesante, me rezultat 3:2.
Në fakt, golin e fitores skuadra nga Cyrihu e arriti në minutën e fundit të ndeshjes. Trofeun për ekipin fitues e ndau presidenti i FFK-së, Agim Ademi. Ndërkohë, fitues i garës së Kupës së Diasporës në Gjermani, që u organizua nga Federata e Futbollit Shqiptar në Gjermani, doli ekipi AKV Bardhosh Gërvalla Ludwigsburg, i cili në finale shënoi fitore bindëse ndaj FC Kosova Duseldorf, me rezultat 3:0.
Kësisoj, dy skuadrat më të mira të Diasporës, FC Kosova Zurich dhe AKV Bardhosh Gërvalla Ludwigsburg në vjeshtë do të vijnë në Kosovë, ku do të zhvillohet turneu i Superkupës Kosovë-Diasporë, e ku do të marrë pjesë edhe fituesja e Kupës së Kosovës, FC Llapi.