FC Liria prezanton Fiton Hajdarin (Video)
Skuadra e Lirisë është krenuar në prezantimin e sulmuesit Fiton Hajdari, i cili ka lindur në Prizren. Liria i ka numëruar sukseset e Hajdarit një nga një, derisa ndihet me fat që e sjell gjithë atë përvojë në klub.
“Sulmit të FC Liria po i shtohet përvoja dhe historia e futbollit tonë. Kemi nderin të zyrtarizojmë Fiton Hajdari si prurjen më të re në ekip. Hajdari, i cili luan kryesisht në krahët e sulmit, sjell me vete një karrierë të gjatë dhe të suksesshme, duke spikatur momentet si kampion me KF Hysi në sezonin 2010/11, kampion me Trepçën 89 në sezonin 2016/17, si dhe goli i parë në histori të kualifikimeve për Evropë për ndonjë ekip nga Kosova, goli i barazimit në ndeshjen kundër ekipit nga Ishujt Faroe, Vikingur, në kohën kur vishte fanellën e Trepçës ‘89”, ka njoftuar skuadra prizrenase.
Hajdari, përveç Hysit dhe Trepçës ‘89, Hajdari ka djersitur edhe fanellën e Llapit, Trepçës, Malishevës, Gjilanit, si dhe së fundmi të Ferronikelit 74.
/Veton ZYMBERI/