FC Prishtina 01, fituese e Kupës së Kosovës në futsall

05 maj 2023 | 11:30

FC Prishtina 01 ka fituar për herë të dytë Kupën e Kosovës në futsall.

Në ndeshjen finale, e cila është zhvilluar të enjten në mbrëmje, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, në një atmosferë madhështore, ekipi kryeqytetas ka triumfuar në duel me ekipin nga Drenasi, FC Liqeni, me rezultat 2:0.

Loja ishte tejet e baraspeshuar, megjithëse që nga fillimi u vërejt dominim i lehtë i kryeqytetasve. Derisa pjesa e parë nuk prodhoi gola, në të dytën Prishtina 01 arriti ta gjejë rrugën e golit fillimisht përmes Ramadan Alajt, e më pas epërsinë e dyfishoi Ermir Kryeziu.

Në minutat e mbetura, FC Liqeni përkundër presionit të vazhdueshëm dhe përpjekjeve për të bërë ndryshim në epilogun e ndeshjes u detyrua të pajtohet me humbjen, pasi mbrojtja e kryeqytetasve ishte në nivelin e duhur.

Në fund trofeun për ekipin fitues e dorëzuan bashkërisht presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, derisa medaljet i ndanë edhe drejtorët për sport të Prishtinës dhe Drenasit, Granit Rugova e Enkela Dema, si dhe kryetari i komisionit të futsallit, Hysni Gjinovci. Herën e parë Prishtina 01 iu kishte gëzuar këtij trofeu në vitin 2020.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Azerbajxhani dhe Armenia kanë bërë përparim të rëndësishëm në adresimin…