FC Prishtina 01, kampione në Superligën e futsallit
FC Prishtina 01 është kampione e Kosovës në futsall për herë të dytë radhazi. Pas fitores në kryeqytet, kjo skuadër ka triumfuar edhe në ndeshjen e dytë të serisë finale kundër FC Liqenit, që u zhvillua në një atmosferë madhështore në Drenas.
Koha e rregullt e lojës u mbyll në barazim 4:4. Në vazhdime të dy skuadrat shënuan nga një gol, duke bërë që fituesin e ndeshjes ta përcaktojnë penalltitë. Golat për FC Prishtina 01 u shënuan nga Shefki Kameri (0:1), Fitim Krasniqi (0:2), Arif Limani (0:3), Halim Selmanaj (2:4) dhe Ramadan Alaj (5:5).
Ndërkaq, për FC Liqenin shënuan Jakup Ramadani (1:3), Camillo Sanchez (2:3), Shqipron Brahimi (3:4) dhe Yulian Diaz dy herë (4:4 dhe 5:4).
Në serinë e penalltive, FC Prishtina 01 tregoi efikasitet më të mirë, duke triumfuar për të dytin vit radhazi.
Trofeun për ekipin kampion e ndau presidenti Agim Ademi. Kësisoj, Prishtina 01 e mbyll edicionin me kurorën e dyfishtë, pasi paraprakisht kishte triumfuar në finale të Kupës së Kosovës. Edhe në këtë garë në finale e kishte mposhtur FC Liqenin.