FC Prishtina prezanton edhe Ramiz Bytyqin
Ramiz Bytyqi është futbollisti i tretë që e përforcon skuadrën e Prishtinës në këtë afat kalimtar. Ai ka nënshkruar marrëveshje për tre vjetët e ardhshëm me klubin kryeqytetas.
Mbrojtësi i djathtë është njohje e vjetër e trajnerit të ri të Prishtinës, Ismet Munishi, i cili e afirmoi Bytyqin në futbollin kosovar te skuadra e parë e Ballkanit. 23-vjeçari me Ballkanin edicionin e kaluar e fitoi titullin kampion.
Ai në të kaluarën ka qenë pjesë e reprezentacionit të Kosovës U-19 dhe U-21. Ramizi pas prezantimit te Prishtina e ka dhënë një̈ prononcim për faqen zyrtare të klubit tonë.
“Të gjithë e dinë se Prishtina është klub i madh dhe pas bisedës me trajnerin Ismet Munishi vendosa t’i bashkohem ekipit. Jam shumë i lumtur me këtë fakt. Synimet personale janë që të kem paraqitje sa më të mira me ekipin dhe t’i arrijmë objektivat që i ka klubi”, ka thënë Bytyqi.