FDH: Gjykimi i Limajt test për pavarësinë e gjyqësorit në Kosovë
Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDH), përmes një kumtese ka komentuar aktvendimin e gjykatës për lirimin e Fatmir Limajt.
FDH ka thënë se ajo që qysh tash mund të vërehet është se disa dëshmitarë të prokurorisë, madje edhe kushërinjtë e afërt të njërit prej viktimave, deri diku në shqyrtimin kryesor i kanë ndryshuar deklaratat në mbështetje të të akuzuarit në krahasim me deklaratat të cilat i kanë dhënë në fazat e mëhershme të procedurës.
Komunikata e plotë e FDH:
Fatmir Limaj lirohet nga përgjegjësia komanduese për krime të luftës
Gjykata Themelore në Gjakovë me panelin shqyrtues me të cilin ka kryesuar Nikollë Komoni, pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor në lëndën Prokurori kundër Fatmir Limajt, e ka sjellë në datën 9 maj të vitit 2018 aktgjykimin me të cilin Fatmir Limajn e ka liruar nga akuzat për kryerje të veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile.
Aktakuza kundër Limajt, i cili ka qenë një nga komandantët më të lartë të UÇK-së, është ngritur në datën 28 tetor të vitit 2016 nga Zyra e Prokurorisë Speciale. I akuzuari Limaj ngarkohet se në cilësi të drejtorit të Drejtorisë së Policisë Ushtarake pranë Shtabit Qendror të UÇK-së (i emëruar në muajin nëntor të vitit 1998) me ndërgjegje nuk ka ndërmarrë masa me qëllim të konstatimit të kryerësve të vrasjeve të civilëve Ramiz Hoxha dhe Selman Binishi, e cila ka ndodhur në datën 2 tetor të vitit 1998 në territorin nën kontrollin e tij, në afërsi të fshatit Kravasari, komuna e Malishevës, si dhe rastin nuk e ka paraqitur te organet kompetente për të kërkuar konstatimin e përgjegjësisë për këtë vepër.
Në arsyetimin e shkurtë me gojë, kryetari i panelit, Komoni ka thënë se gjykata me asnjë provë nuk ka pasur sukses për të vërtetuar se i akuzuari Limaj ka qenë në dijeni mbi këtë vepër penale si edhe se nuk është vërtetuar se kush janë kryerësit e saj, nëse ata kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së dhe nën komandën e kujt kanë qenë.
Përndryshe, pas procedurës së vlerësimit të aktakuzës, shqyrtimi kryesor është hapur në datën 13 janar të vitit 2017 me fjalët hyrëse të palëve në procedurë. Paneli shqyrtues në kuadër të shqyrtimit kryesor është takuar në tetë (8) ditë gjyqësore. Gjatë shqyrtimit, janë dëgjuar katërmbëdhjetë (14) dëshmitarë të propozuar nga ana e prokurorisë. Mbrojtja nuk ka propozuar dëshmitarë si dhe i akuzuari as që ka dhënë deklaratë para gjykatës.
FDH Kosovë, pas shpalljes së vendimit të gjykatës të arsyetuar me shkrim mbi lirimin e të akuzuarit Limaj si dhe pas njohjes së hollësishme me arsyet me të cilat është udhëhequr gjykata në sjelljen e vendimit të këtillë, do të përgatisë analizën e gjykimit në lëndën Prokurori kundër Fatmir Limajt.
FDH Kosovë rregullisht e ka përcjellë gjykimin e të akuzuarit Limaj. Ajo që qysh tash mund të vërehet është se disa dëshmitarë të prokurorisë, madje edhe kushërinjtë e afërt të njërit prej viktimave, deri diku në shqyrtimin kryesor i kanë ndryshuar deklaratat në mbështetje të të akuzuarit në krahasim me deklaratat të cilat i kanë dhënë në fazat e mëhershme të procedurës. Me këtë ka vazhduar trendi karakteristik për gjykimet për krime të luftës në Kosovë, sipas të cilit dëshmitarët e prokurorisë në shqyrtimet kryesore heqin dorë nga deklaratat akuzuese të dhëna në procedurën e mëhershme dhe bëhen dëshmitarë të anës së kundërt në procedurë.
FDH Kosovë e thekson se gjykimi në lëndën Prokurori kundër Fatmir Limajt ka qenë gjykimi i parë për krime të luftës që nga lufta e viteve 1998/1999 e këndej, në të cilën aktakuzë është ngritur nga prokurori vendor, kurse paneli gjyqësor ka qenë i përbërë nga gjyqtarët vendorë. Për këto arsye, kjo lëndë tërheq vëmendje të madhe të opinionit, sepse ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe dhe mund të shërbej si test për vlerësimin e gjyqësorit kosovar që në mënyrë të pavarur dhe pa asistencën ndërkombëtare të përballet me lëndët e krimeve të luftës.