Federata e Basketbollit e habitur me mosmiratimin e Ligjit për Sponsorizim
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka mbetur e habitur që deputetët nuk e miratuan Ligjin për Sponsorizim.
“Federata e Basketbollit të Kosovës nuk e ka të qartë se si mundet që një amendament i cili e dërgon përpara zhvillimin e sportit kosovar në përgjithësi, nuk e gjeti përkrahjen edhe nga deputetët, të cilët vazhdimisht krenohen me të arriturat e sportit dhe sportistëve, pasi që tashmë dihet botërisht se sporti është ambasadori më i mirë i Kosovës nëpër botë dhe janë sportistët ata që po ia përmirësojnë imazhin në vazhdimësi vendit tonë”, thuhet në reagimin e Federatës së Basketbollit.
Reagimi i plotë i FBK-së
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) është shumë e zhgënjyer dhe e befasuar me hezitimin e disa deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për të mos e kaluar Ligjin për Tatimin e të Ardhurave në Korporata në Kuvend, përkatësisht amendamentin, i cili do t’i hapte rrugë të menjëhershme Ligjit të Sponsorizimit në fushën e Sportit, Kulturës e Rinisë.
Federata e Basketbollit të Kosovës nuk e ka të qartë se si mundet që një amendament i cili e dërgon përpara zhvillimin e sportit kosovar në përgjithësi, nuk e gjeti përkrahjen edhe nga deputetët, të cilët vazhdimisht krenohen me të arriturat e sportit dhe sportistëve, pasi që tashmë dihet botërisht se sporti është ambasadori më i mirë i Kosovës nëpër botë dhe janë sportistët ata që po ia përmirësojnë imazhin në vazhdimësi vendit tonë.
Me këtë veprim të deputetëve sporti, përkatësisht basketbolli kosovar vetëm se e ka bërë një hap prapa, duke marr parasysh gjendjen financiare në klubet kosovare, ku mungesa e sponsorëve në disa vitet e fundit është kryekëput e lidhur me mosmiratimin e këtij ligji dhe amandamenti.
Federata e Basketbollit të Kosovës falënderon të gjithë deputetët që po e mbështesin miratimin e këtij Ligji dhe këtij amendamenti dhe në të njëjtën kohë ju bënë thirrje të gjithë deputetëve hezitues që ta mbështesin këtë Ligj dhe këtë amendament, sepse me të do të mbështesin sportin dhe sportistët e Kosovës. Federata e Basketbollit të Kosovës ju bën thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që këtë ligj ta votojnë në seancën e radhës dhe kështu me votën e tyre të bëhen pjesë e zhvillimit të sportit kosovar.
/Epoka e re/