Federata e Boksit: Politika përsëri pengesë e sportit

14 mars 2023 | 12:14

Federata e Boksit e Kosovës ka reaguar pas lajmit për mospjesëmarrjen e boksieres Donjeta Sadiku në Kampionatin Botëror që mbahet në Indi që mbahet nga 14 deri më 26 mars.

Federata në fjalë ka dhënë detaje për mospjesëmarrjen në Botëror. Sipas Federatës së Boksit, India ka lejuar pajisjen me viza, por me dy kërkesa: Flamuri i Kosovës dhe himni shtetëror nuk do të përdoren në ndonjërën nga ceremonitë gjatë kampionatit botëror dhe pjesëmarrësit e Kosovës nuk do të lejohen të bartin flamurin e tyre ose edhe në veshjet e tyre në formë të printuar. Pas diskriminimit të bërë, Federata e Boksit në koordinim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komitentin Olimpik të Kosovës vendosen të mos udhëtojnë fare drejt New Delhit të Indisë

“Andaj, bazuar në kushtet e vëna, dhe diskriminimin e bërë nga shteti i Indisë, FBoxk, në koordinim me MKRS-në dhe KOK-un, kanë vendosur që ekipi ynë të mos udhëtojë fare drejt New Delhit të Indisë. Për ne si federatë, por edhe për boksieren, e cila ishte favorite për të fituar sërish medalje, është zhgënjim i madh, sidomos me Federatën Ndërkombëtare të Boksit (IBA), e cila lejoi që për herë të tretë i njëjti vend të diskriminojë boksieren tonë, duke ia mohuar pjesëmarrjen me të drejta të barabarta si sportistët tjerë”, thuhet në njoftimin e Federatës së Boksit. Kjo e fundit konsideron se sërish politika është bërë pengesë e sportit.

FBOXK-ja e ka falënderuar zëvendësministren Daulina Osmani për angazhimin dhe përpjekjen e saj për pajisjen me viza për ekipin e Kosovës.

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania më e madhe turistike në vend “Sharr Travel” vjen…