Federata e Futbollit, 10 mijë euro për KFF Mitrovica
Suksesi i arritur nga KFF Mitrovica në fazën e parë të Ligës së Kampionëve është mirëpritur kudo në Kosovë dhe është vlerësuar si një hap para në zhvillimin e mëtutjeshëm të futbollit të femrave.
Për t’i përgëzuar për suksesin e arritur, të martën në selinë e FFK-së është organizuar një pritje për futbollistet dhe stafin e KFF Mitrovica, ku ishin të pranishëm kryetari Agim Ademi, nënkryetari Bakir Burri, kryetarja e komisionit të femrave dhe njëherësh anëtarja e KE-s, Vjollcë Krasniqi, anëtari i KE-s, Bekim Rexhepi dhe menaxherja e futbollit të femrave, Valbona Gashi-Uka.
Me këtë rast, presidenti Ademi ka uruar futbollistet e Mitrovicës dhe stafin e klubit për paraqitjen dinjitoze në fazën e parë të ‘Champions’-it dhe për kalimin në mesin e 32 ekipeve më të mira të Evropës.
“Ky është një sukses deri tash i paarritshëm te ne dhe jam shumë i lumtur për këtë arritje tuajën. Personalisht e kam edhe një arsye më shumë për t’u gëzuar, ngase shumë prej jush keni qenë pjesë e klubit tim dhe jeni rritur aty. Gjithsesi uroj trajnerët për punën e bërë, sepse janë ata që e koordinojnë ekipin, derisa kur kryesia është e organizuar si në klubin tuaj, atëherë s’do mend se suksesi nuk mungon. Ky sukses i juaji njëherësh demanton atë thënien e mëparshme që ne mund të arrijmë suksese vetëm në aspektin individual, pasi tashmë kemi filluar të arrijmë suksese të njëpasnjëshme edhe si kolektiv. Futbolli është sport kolektiv dhe ju e keni treguar se me punë e angazhim mund të arrihet suksesi”, ka thënë Ademi.
Ai ka thënë se tani është e rëndësishme të krijohet mentaliteti i fituesit sepse nuk ka asgjë që nuk mund të arrihet kur ka angazhim e vullnet për punë. Ai ka uruar që edhe në ndeshjen e ardhshme kundër një rivali tepër të fortë si Ëolfsburgu vashat e Mitrovicës të tregojnë kualitet dhe pse jo të befasojnë për të mirë, pasi nganjëherë dëshira, motivi dhe vullneti mund ta mposhtin kualitetin.
Për këtë arritje presidenti Ademi ka thënë se është marrë vendim për ta shpërblyer klubin kampion me 10 mijë euro. “Kjo nuk është shifra çfarë kam dëshirë të ju shpërblej, por thjeshtë ajo çfarë kemi mundësi për momentin. Këtë shpërblim kemi vendosur t’ua japim në shenjë të këtij suksesi, por sigurisht që mbështetja për futbollin e femrave do të mbetet ndër prioritetet tona”, ka shtuar Ademi.
Ndërkaq, kryetarja e komisionit të futbollit të femrave, Vjollcë Krasniqi, ka deklaruar: “Ky sukses na ka dhënë emocion të gjithëve jo vetëm neve që jemi në drejtim të FFK-së, por edhe mbarë opinionit futbolldashës. Prandaj, uroj që të keni suksese tjera dhe besoj në paraqitje të mira edhe kundër skuadrës gjermane”.
Ndërsa, në emër të KFF Mitrovica drejtuesit e FFK-së i falënderoi kryetari i klubit, Hajrullah Haxhiu, i cili theksoi se edhe më herët e kanë pasur përkrahjen e plotë të FFK-së dhe se tani kur janë në mesin e 32 ekipeve më të mira të Evropës kanë nevojë edhe për mbështetje organizative të ndeshjeve.