
Federata e Futbollit të Rusisë, pas përjashtimit nga FIFA dhe UEFA: Vendim diskriminues
FIFA dhe UEFA kanë përjashtuar nga garat ndërkombëtare kombëtaret e Rusisë dhe klubet ruse, për shkak të situatës në Ukrainë. Federata Ruse e Futbollit ka dalë me reagim më pas.
“Ne besojmë se ky vendim është në kundërshtim me rregullat dhe parimet e garave ndërkombëtare, si dhe me frymën e sportit. Ka karakter të dukshëm diskriminues dhe dëmton një numër të madh sportistësh, trajnerësh, punonjësish të klubeve dhe ekipeve kombëtare dhe mbi të gjitha miliona tifozë rusë dhe të huaj, interesat e të cilëve duhet t’i mbrojnë para së gjithash organizatat ndërkombëtare sportive. Veprime të tilla po përçajnë komunitetin. Sporti botëror ka respektuar gjithmonë parimet e barazisë, respektit të ndërsjellë dhe pavarësisë nga politika. Ne rezervojmë të drejtën të kundërshtojmë vendimin e FIFA-s dhe UEFA-s në përputhje me ligjin ndërkombëtar të sportit”, shkruhet në reagimin e Federatës Ruse të Futbollit.