Federata e Karatesë paralajmëron padi ndaj MKRS-së
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Federatës së Karatesë, i mbajtur më 4 korrik, në të cilin Besart Baruti u zgjodh kryetar i kësaj federate, është shpallur i pavlefshëm dhe me shkelje ligjore nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport. Në vendimin e MKRS-së thuhet se ai kuvend është mbajtur duke shkelur Ligjin për Sport, Statutin e Federatës së Karatesë si dhe Udhëzimin Administrativ për Kriteret e Licencimit të Federatave, ndërkohë që në vendim, po ashtu, kërkohet që kuvendi i ri të mbahet brenda 45 ditëve.
Mbajtjen e kuvendit të ri zgjedhor po e kërkon edhe ish-kryetari i FKK-së, Avni Gashi. Ai për “KosovaPress” ka thënë se zgjedhja e Besart Barutit në vend të tij është bërë duke shkelur statutin e Federatës së Karatesë, andaj për ta kthyer ligjshmërinë duhet mbajtur kuvendi i ri. Por, i bindur se nuk është shkelur as Ligji për Sport e as statuti i FKK-së është sekretari i Federatës së Karatesë, Nazmi Gashi. Ai thotë se thirrja e kuvendit të 4 korrikut është bërë duke respektuar plotësisht statutin e FKK-së. Madje Gashi ka thënë se do ta padisin MKRS-së për ndërhyrje arbitrare në federatë për shkak të, siç thotë ai, interesave të disa individëve. “Unë mendoj që janë disa interesa të disa individëve aty brenda edhe në MKRS edhe jashtë saj të cilët po ndërhyjnë. Janë disa interesa të cilat ne si federatë nuk po i kuptojmë qartë sepse të ndërhyhet në një autonomi të një federate në këtë formë, kjo është shumë arbitrare, është shumë e dëmshme për organizatat joqeveritare që veprojnë, në këtë rast federatave sportive…(09:05…) MKRS-ja është duke na shtyrë ne, duke na bërë presion që ne ta thërrasim një kuvend anti-statutar, që nga kryetari aktual dhe administrata e FKK-së nuk do të lejohet të ftohet një kuvend zgjedhor që me vetëdije e dimë që po e shkelim statutin… Në këtë lojë, në këtë sistem, ne nuk do të jemi në presion, ne do t’i padisim të gjitha këto organe që i kanë rekomanduar ministrit për këto lloj veprimesh. Do të paditet MKRS-ja. Do të paditen zyrtarët të cilët nuk kanë qenë korrektë dhe kanë prodhuar një raport i cili është i dëmshëm për Federatën e Karatesë së Kosovës”, ka theksuar Gashi.
Për situatën e krijuar në FKK ka reaguar edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi. Ai ka thënë se nuk është MKRS-ja e as KOK-u që përcaktojnë zgjedhjen e organeve të një federate, por vetëm anëtarët e saj, ashtu siç para sheh statuti i FKK-së. Edhe pse ende nuk është bërë e ditur data, sekretari i Federatës së Karatesë, Nazmi Gashi, ka thënë se kuvendi i ri do të ftohet së shpejti. /KP/