Federata Evropiane e Gazetarëve i drejtohet Kurtit, Sveçlës dhe Haxhiut: Dënojeni sulmin ndaj Sylës
Sekretari i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, ka reaguar pas sulmit fizik ndaj gazetarit kosovar, Valon Syla. Ai ka kërkuar nga kryeministri Kurti dhe ministrat Sveçla e Haxhiu që të dënojnë publikisht sulmin ndaj gazetarit Syla.
Gutierrez ka thënë se është shqetësuese që liderët politikë të heshtin në raste të tilla.
“I bëj thirrje kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu që ta dënojnë publikisht sulmin dhe ta bëjnë të qartë se sulme të tilla ndaj një gazetari janë të papranueshme. Më duket veçanërisht shqetësuese heshtja e tyre. Liderët politikë kanë për detyrë të dënojnë publikisht sulme të tilla”, ka shkruar ai.
Gutierrez ka theksuar se politikbërësit duhet të veprojnë, ndryshe bëhen palë me sulmuesit.
“Bashkë me bashkëpunëtorët tanë të AGK-së i bëj thirrje edhe policisë që të bëjë një hetim serioz dhe organeve të drejtësisë që të identifikojnë kriminelët dhe t’i nxjerrin para drejtësisë dhe të shqiptojnë dënimet maksimale. Kosova ende nuk ka zbatuar rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe të Bashkimit Evropian për sigurinë e gazetarëve. Kjo tragjedi është një mundësi e mirë për të nisur një plan kombëtar për zbatimin e standardeve evropiane për sigurinë e gazetarëve. Politikëbërësit duhet të kenë guximin për të vepruar. Të qëndrosh pasiv do të thotë të jesh bashkëpunëtor i sulmuesve”, ka thënë Gutierrez.