Federata Skitare e Kosovës: Shteti t’i ndalojë punimet e hidrocentraleve nëpër qendrat e skitarisë
Federata Skitare e Kosovës i ka pritur me shqetësim të madh ndërhyrjet që po bëhen në ndërtimin e hidrocentraleve në qendrat turistike skitare të Republikës së Kosovës, siç janë Brezovica, Brodi, Deçani e Rugova, në të cilat përfaqësohet edhe sporti i skitarisë. Bordi Ekzekutiv i FSK-së, në emër të dhjetëra klubeve të skitarisë, qindra sportistëve, konstaton se ndërtimi i këtyre hidrocentraleve do të shkaktojë pasoja të mëdha dhe të pariparueshme në qendrat turistike dhe skitare në vend.
“Mungesa e ujit në këto asete të mëdha të Kosovës, do të sillte ndërprerjen e garave të shumta të skitarëve të Kosovës, do të paralizonte komplet qendrat e skijimit, do ta ulte vlerën e këtyre qendrave në procesin e privatizimit, do të ulte veprimin e shumë bizneseve dhe do ta zvogëlonte në masë të madhe numrin e vizitorë në këto qendra. Federata Skitare e Kosovës pas inspektimit të vendit të ngjarjes, ku janë duke u zhvilluar punimet në Qendrën Skitare në Brezovicë, konstaton se përkundër protestave të qytetarëve dhe bizneseve të kësaj zone, punimet ende nuk janë ndalur”, thuhet në reagimin e lëshuar nga Federata Skitare e Kosovës.
FSK-ja kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të organeve kompetente të shtetit si: Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministri i Sportit, kryetarët e komunave ku janë duke u zhvilluar ndërtimet, të marrin masa të menjëhershme për ndaljen e shkatërrimit të qendrave skitare të Kosovës. FSK-ja kërkon që deri të bëhet një zgjidhje për sigurimin e ujit për qendrat skitare, të pushojnë punimet. “Në sportin e skitarisë uji është elementi kryesor për zhvillimin e qendrës, pa të cilin nuk mund të trasohet shtegu për mbajtjen e garave, e njëkohësisht as nuk mund të prodhohet bora artificiale që është shumë e rëndësishme për zhvillimin e garave ndërkombëtare, si dhe për vetë cilësinë e shtegut. Besojmë që shteti të marrë masat e nevojshme sa më parë, dhe të bëjë një zgjidhje për qendrat skitare të Kosovës”, thuhet në reagimin e FSK-së.
Nëse organet kompetente nuk marrin masa, FSK-ja bashkë me të gjitha klubet dhe garuesit do të detyrohet të marr masa të nevojshme qoftë me protesta apo ndërprerjen e punimeve, deri në gjetjen e një zgjidhjeje nga vetë shteti.
/Epoka e re/