Federata zvicerane për xhaketën e UÇK-së: E papranueshme, por Shaqiri veproi në mënyrë shembullore
Federata e Futbollit e Zvicrës e ka quajtur të papranueshme dhe propagandë politike vendimin e një tifozi për t’ia vendosur Xherdan Shaqiri mbi supe një xhaketë me emblemë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur ai po fliste për media pas fitores së Zvicrës 2:0 kundër Irlandës Veriore të shtunën.
Por shtëpia e futbollit zviceran e ka lartësuar yllit e vet nga Kosova duke thënë se reagimi i Shaqirit – i cili e hoqi menjëherë nga supet xhaketën duke buzëqeshur – ishte shembullor.
Shaqiri ishte duke folur për televizionin publik zviceran kur papritmas u shfaq një tifoz dhe ia vuri mbi shpatulla xhaketën e cila kishte simbole të dukshme të UÇK-së. 30-vjeçari qëndroi i qetë dhe duke buzëqeshur e largoi nga supet menjëherë xhaketën.
Në një reagim një ditë pas fitores së kombëtares helvetike në kualifikime për Kupën e Botës, SFV-ja e dënoi si të papranueshme veprimin e tifozit dhe e lartësoi Shaqirin.
Shaqiri i lindur në Gjilan i ka bërë 97 paraqitje për Zvicrën në të gjitha garat, duke kontribuuar me 26 gola. Ai është golashënuesi më i mirë në historinë e Zvicrës në turne të mëdha (Botëror e Evropian) me 7 gola.
“Është e papranueshme që njerëzit duan t’i keqpërdorin stadiumet e futbollit dhe në këtë rast intervistën e një futbollisti pas ndeshjes për propagandë politike”, thuhet në reagimin e SFV-së.
“Xherdan Shaqiri reagoi në mënyrë shembullore, qëndroi i qetë dhe nuk iu kundërvë”, thuhet tutje në reagim.
Veprimi i tifozit të shtunën shkaktoi shumë polemika në Zvicër dhe i bëri mediat serbe të reagojnë duke kërkuar dënim nga UEFA për federatën zvicerane
Shaqiri u rikthye në Kombëtaren e Zvicrës dhe luajti 90 minuta në fitoren 2:0 ndaj Irlandës Veriore, pasi kishte munguar në tri ndeshjet e shtatorit. Express
ℹ️Stellungnahme SFV
Es ist inakzeptabel, dass Personen Fussballstadien, und diesem Fall das Interview eines Spielers nach einem Spiel, für politische Propaganda missbrauchen wollen. Xherdan Shaqiri hat vorbildlich reagiert, ist ruhig geblieben und ist nicht darauf eingegangen.— 🇨🇭 Nati (@nati_sfv_asf) October 10, 2021