Federeri: Nadali ishte nga të parët që mori vesh për pensionimin tim
Roger Federeri u tërhoq nga sporti në shtator të këtij viti kur luajti për herë të fundit në lojën dyshe me mikun e tij Rafael Nadal në turneun e Laver Cup.
Në një intervistë për mediet zvicerane, “king Roger” zbulon se rivali e miku i tij spanjoll, me të cilin zhvilloi ndeshjen e fundit në karrierë, ishte nga të parët që mori vesh tërheqjen e tij nga sporti.
“Pas përfundimit të US Open e mora në telefon dhe zhvilluam një bisedë shumë emocionuese. Rafaeli ishte nga personat e parë, përveç atyre të familjes dhe stafit tim, që mësoi për tërheqjen time nga sporti”, kujton Federer.
Më tej, Federeri ka shtuar: “I thashë: Përshëndetje Rafa! Para se të vendosësh për të luajtur në turne të tjerë, dëshiroj që të vish në Laver Cup për të luajtur me mua ndeshjen time të fundit në karrierë, në lojën dyshe. Do të ishte fantastike ta mbyllja me ty. Për fat të keq, gjuri im nuk është në rregull dhe ky është fundi i karrierës time”.