Federer: Synoj Wimbledonin dhe medaljen e artë në Tokio
Të gjithë presin të mësojnë se kur do të tërhiqet nga sporti tenisti Roger Federer, tashmë 38-vjeçar, njeriu që mban shumicën e rekordeve të këtij sporti. Megjithatë, zvicerani nuk ka ndërmend të ndalet këtu dhe mendon për sezonin e ri.
Madje ai vetë ka deklaruar disa herë se nuk e ka idenë se kur do ta varë “raketën në gozhdë”. “Ndoshta një ditë do të zgjohem dhe do të kuptoj se ka ardhur koha, por për momentin ajo ditë nuk po duket. Shpenzoj energjitë e mia për të qëndruar vazhdimisht në formë dhe për të qenë gati në çdo ndeshje që luaj”, ka thënë Federeri.
Një tjetër pyetje që të gjithë bëjnë është nëse Federeri është tenisti më i madh i historisë.
“Në moshën time, asnjë tenist nuk ka mundur të fitojë një grand slam. Të jesh kompetitiv në këtë moshë kërkon shumë sakrifica. Unë stërvitem çdo ditë për të qenë gati. Tani stërvitem më pak, por ajo është me cilësi, pasi në këtë moshë nuk duhet të sforcohem shumë” u shpreh zvicerani. “Gjithsesi, nuk kam nevojë të fitoj në fushë për të treguar nëse jam më i madhi apo jo. Rëndësi ka që unë të argëtohem në fushë dhe fansat në stadium. Viti 2020? Shpresoj të fitoj në Wimbledon dhe ta marr medaljen e artë në Tokio”, ka thënë Federeri.