Federer: Tani shijoj jetën si spektator, ndihem pjesë e sportit kur jam në turne tenisi
Edhe pse i tërhequr nga sporti prej dy vitesh, tenisti zviceran Roger Federer mbetet një nga më të mëdhenjtë e këtij sporti. Edhe sot që nuk luan më, miliona fansa duan të dinë detaje të karrierës dhe jetës së tij, sidomos tani që ka “varur raketën në gozhdë”.
Në një intervistë për mediat gjermane, Federer foli për karrierën e tij dhe zbuloi: “Jam i lumtur që jam rikthyer për të marrë pjesë në disa turne, natyrisht si spektator. Kam arritur të pranoj pensionin tim dhe ndihem ende pjesë e këtij sporti kur marr pjesë në turne tenisi”.
“Unë nuk jam një alien dhe nuk jam ndryshe nga të tjerët. Në fakt, kur jam në një turne, me shqetëson kur më pyesin se çfarë po bëj këtu. Unë nuk do të kthehem kurrë të luaj”, ka deklaruar Federer. “Jam i lumtur që ndihem ende rehat në shtëpinë time, por edhe në ambientin e tenisit. Këtu ndihem rehat sikur të isha në shtëpi. Ndihem mirë edhe duke kuptuar se nuk ka më nevojë të jem në turne”, u shpreh zvicerani. Duke folur për çështjen e dopingut me Sinner, ai ka shtuar: “Të gjithë jemi mjaft të bindur që Jannik nuk bëri asgjë. Ndoshta ai nuk duhet të kishte luajtur ndërkohë që ata nuk ishin 100% të sigurt se çfarë po ndodhte”.