Federeri dhe Del Potro në finalen e Indian Wells
Roger Federer dhe Juan Martin Del Potro do të luajnë në finalen e turneut Masters të Indian Wells (në Amerikë).
Dy tenistët kanë fituar në sfidat gjysmëfinale, duke prerë një biletë për më tej. Për zviceranin kjo është një mundësi e mirë për të mbrojtur titullin e fituar vjet edhe pse në gjysmëfinale vuajti shumë për të mundur 2-1 (5-7, 6-4, 6-4) kroatin Borna Coric.
Një fitore me përmbysje e numrit 1 në botë, që humbi setin e parë dhe më pas bëri mrekullinë në dy setet e tjera, duke shpenzuar shumë energji për të eliminuar surprizën Coric. Për Federer ky është suksesi i 17-të sezonal, rekord, duke përmirësuar shifrën e 16 fitoreve radhazi të arritur në vitin 2006, kur ishte 24 vjeç.
Në gjysmëfinalen tjetër, argjentinasi Del Potro mundi 2-1 (3-6, 6-3, 6-4) gjermanin Philipp Kohlschreiber, një tjetër ndeshje emocionuese dhe me rivalitet. Edhe argjentinasi fitoi me përmbysje në këtë përballje, duke treguar gjithë klasin e tij. Kjo është hera e 25-të që Federer e Del Potro do të duelojnë mes tyre në karrierë, me zviceranin që udhëheq 18-6 në sfidat direkte.
Te femrat, në finalen e turneut Masters të Indian Wells do të luajnë Daria Kasatkina dhe Naomi Osaka. Rusja Kasatkina mundi 2-1 amerikanen Venus Williams (4-6, 6-4, 7-5) në gjysmëfinale, ndërsa japonezja Naomi Osaka eliminoi numrin 1 në botë, rumunen Simona Halep, duke fituar 2-0 (6-3, 6-0), një rezultat surprizë. (Telesport)