Federeri: E rëndë për tenisin nëse Nadali nuk do të luante në Roland Garros
Rafael Nadali nuk po kalon një moment të mirë. Fituesi i 22 grand slameve nuk luan që prej Australian Open dhe nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje në fushat me dhe, sipërfaqen e tij të pëlqyer.
Kjo situatë ka shqetësuar edhe rivalin e mikun e tij Roger Federer, që ka rrëfyer ndjesitë e tij.
“Do të ishte e rëndë për tenisin nëse Rafael nuk do të luante në Roland Garros. Unë shpresoj që të luajë. Kam parë që është tërhequr nga të gjithë turnetë, ndaj i uroj më të mirën. Kjo vlen edhe për Djokoviqin që ka luajtur pak dhe shpresoj të jenë në formë në Paris. Ashtu sikurse edhe të rinjtë”, ka thënë Federeri.
Nadali po kalon të njëjtën fazë si Federeri dy vjet më parë, kur luante me pikatore për shkak të dëmtimeve e moshës dhe më pas vendosi të tërhiqej.
“Është Rafaeli ai që e di më mirë se kushdo gjendjen e tij dhe e kuptoj se nuk është e lehtë për të. Uroj që kjo periudhë pushimi ta karikojë për Roland Garrosin”, ka shtuar Federeri.