Federeri fiton titullin në Halle
Tenisti zviceran Roger Federer fitoi për të 10-n herë në karrierën e tij turneun ATP të Halle (Gjermani) që zhvillohet në fushat me bar. Në finale, numri 3 në botë mposhti 2-0 (7-6, 6-1) belgun David Goffin, suksesi i tretë sezonal.
Një triumf i merituar i Federerit, që vuajti vetëm në setin e parë, ku triumfoi në “tie break”. Më pas, zvicerani e dominoi lojën, duke fituar me shumë lehtësi në setin e dytë. Për Federerin, ky është trofeu numër 102 në karrierën e tij. Federeri rikthehet te suksesi në këtë turne pas dy vjetësh, teksa një vit më parë u mund në finale nga Borna Coric. Gjithsesi, këtë herë fituesi i 20 grand slameve nuk gaboi, duke ngritur lart trofeun e turneut të Halles për të 10-n herë.
Federeri ka fituar në vitet 2003-2006, 2008, 2013-2015, 2017 dhe 2019 (në tri edicione është mundur në finale). “Jam shumë i lumtur për këtë triumf. As që e mendoja se do të rikthehesha sërish në finalen e këtij turneu, që është shumë i dashur për mua”, ka thënë Federeri. Zvicerani konfirmoi formën e mirë, teksa ky turne i shërbeu për t’u përgatitur për grand slam të Wimbledonit, që nis më 1 korrik. Turneu londinez është objektivi kryesor i Federerit, që fushat me bar i ka sipërfaqen e tij të preferuar.