Federeri kalon, Thiem eliminohet
Roger Federer nuk pati shumë kohë të pushonte pas ndeshjes me Delbonis, që u ndërpre për shkak të reshjeve në turneun Masters të Indian Wellsit.
Tenisti zviceran zhvilloi shumë shpejt ndeshjen e tij të radhës, atë me Filip Krajinoviç, të cilin e mundi me rezultatin 2-0 duke siguruar një vend për në 1/8 e finaleve të këtij evenimenti. Numri 1 i renditjes botërore nuk e pati aspak të vështirë këtë përballje, pasi e mposhti kundërshtarin e tij në më pak se 1 orë lojë, duke i mbyllur setet 6-2 dhe 6-1.
Pengesa e radhës së 36-vjeçarit në mbrojtjen e titullit të këtij turneu është Jeremy Chardy, i cili eliminoi bashkëkombasin e tij Mannarino me rezultatin 2-1.
Dominic Thiem nuk mundi dot të kualifikohej mes 16 më të mirëve të Indian Wells-it. Tenisti austriak u përball me uruguaianin Cuevas, sfidë të cilën nuk e mbylli për shkak të problemeve fizike. Thiem u detyrua të lërë ndeshjen përgjysmë në setin e tretë që kryesohej nga Cuevas 4-2, ndërkohë që gjendja e seteve ishte e barabartë 1-1.
Edhe Thomas Berdych u eliminua nga Indian Wells-i. Tenisti çek u mposht nga Chung me rezultatin 2-0. Chung u shfaq më mirë sesa Berdych në këtë sfidë dhe i fitoi të dy setet 6-4 dhe 6-4.
Një vend për në raundin tjetër të turneut kalifornian e siguroi edhe Fritz, i cili mundi spanjollin Verdasco me rezultatin 2-1. (Top Channel)