Federeri: Nuk luaj për të mundur Nadalin, por për të fituar trofe
Në një intervistë për të përditshmen zvicerane “Blick” tenisti Roger Federer ka deklaruar se vazhdon të luajë ende edhe pse ka mbushur 36 vjeç për shkak të pasionit për këtë sport dhe për dëshirën që ka ende për të fituar dhe jo për të mundur mikun e rivalin e tij Rafael Nadal.
“Luaj për diçka më madhe se sa janë duelet me Nadal. Jam i shëndetshëm dhe më pëlqen ende të praktikohem, ndaj do të vazhdoj. Objektivi kryesor është të fitoj sa më shumë tituj, ndërsa numrat dhe rekordet janë në plan të dytë. Për mua është e rëndësishme që kam hyrë në historinë e sportit tim të preferuar”, tha Federer.
Më tej, tenisti zviceran, shtoi: “Kur isha fëmijë nuk kisha menduar se do të arrija këto nivele, pasi synoja vetëm që të luaja sa më mirë, të jepja maksimumin, duke shpresuar që të luaja në turnetë më të rëndësishëm dhe të takoja idhujt e mi. Ndaj përse për mua ka më shumë rëndësi të luaj për t’u argëtuar dhe fituar, duke qëndruar gjithnjë me këmbë në tokë. Jeta ime është një sfidë e vazhdueshme për të fituar sa më shumë trofe”, ka thënë Federer, numri 2 në botë, pas Nadal. “Rafa është miku im dhe më pëlqen të dueloj me të. Duelet tona kanë qenë dhe mbeten epike në sportin tonë”, u shpreh Federer. (Telesport)