Federeri: Pensionimi është afër, ja çfarë do të bëj pasi të lë tenisin
Tenisti zviceran Roger Federer është pranë pensionimit dhe 40-vjeçari është duke menduar se çfarë do të bëjë pasi të lëshojë raketën. Dëshira e tij është të shëtisë nëpër botë, por ai pëlqen të mësojë gjëra të reja.
“Tenisi ka përfaqësuar një pjesë të rëndësishme të jetës time, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Pasi të tërhiqem nga sporti kam në mendje shumë gjëra për të bërë. Tërheqja mund të jetë afër, ndaj dua që në të ardhmen të bëj diçka të re. Kam dëshirë të mësoj një instrument”, ka thënë Federeri.
“Kur isha i vogël argëtohesha duke luajtur në piano, ndërsa tani më pëlqen të luaj saksofonin. Më tërheq kjo vegël muzikore. Nuk do të ishte keq edhe sikur të mësoja të bëja ski, nuk e kam bërë kurrë më parë. Gjithsesi, do të jetoj pa të gjitha detyrimet që ka një sportist, që kanë lidhje me stërvitjen”, ka shtuar Federer.