Federeri: Pensionohem nëse nuk kam suksese
Roger Federeri, edhe pse 37-vjeçar, vijon ende të luajë tenis. Një karrierë e gjatë 21 vjet, ku ka triumfuar dhe ka shkruar gjithnjë emrin me të arta.
Por nëse fitoret do të mungojnë, siç po ndodh në muajt e fundit, tenisti zviceran do të tërhiqet.
“Unë luaj dhe dua të fitoj. Do të gënjeja po të thosha që nuk më mërzit humbja në raundet e para të një turneu. Përkundrazi, jam i zhgënjyer nga vetja. Unë nuk luaj në një turne vetëm për t’u argëtuar bashkë me publikun, por edhe për të fituar. Ose të paktën përpiqem të luaj në një nivel të caktuar”, ka thënë Federeri.
“Më ndodh shpesh gjatë vitit që të përballem me më të mirët, herë fitoj e herë humbas. Unë stërvitem për të fituar me të gjithë. Të fitoj ndaj atyre që janë më të mirët në botë, rivalët e mi kryesorë, është një motivim për mua. Nëse nuk do të jem më në gjendje të fitoj me ata që dominojnë këtë sport, atëherë do të tërhiqesha”, ka deklaruar Federer.