Federeri: Tenistët e rinj nuk do ta kenë kurrë talentin tonë
Në prag të grand slam të US Open që nis javën e ardhshme, tenisti zviceran Roger Federer ka folur edhe një herë për të ardhmen e tij. Numri 3 në botë u shpreh se për sa kohë ai arrin të jetë fitues do të vazhdojë të luajë.
“Mendoj se askush nuk e kishte menduar që unë, Djokoviq dhe Nadal do të dominonim kaq gjatë këtë sport. U bënë vite që ne po fitojmë thuajse të gjithë turnetë e rëndësishëm dhe kjo e ka një arsye”, ka thënë Federer, raporton “Telesport”.
“Ne kemi qenë konstantë dhe solidë me kalimin e viteve. Ne kemi ndalur shpërthimin e rritjen e shumë të rinjve premtues. Ndaj, nuk jam i sigurt se shumë të rinj sot do të kenë talentin tonë në të ardhmen. Të hysh në “top-8” është e vështirë, të qëndrosh aty akoma edhe më e vështirë. Imagjino që këta të rinj të jenë gjithnjë mes 3 më të mirëve në botë apo të luajnë deri në moshën 40-vjeçare. Unë shpresoj, por nuk shoh shumë shpresa te këta të rinj. Unë, për sa kohë argëtohem e fitoj do të vazhdoj të luaj pa probleme”, ka deklaruar Federer.