Felix pas transferimit te Chelsea: Gjithmonë kam dashur të rikthehem këtu
Joao Felix u rikthye te Chelsea pas negociatave të stërgjatura me Atletico Madridin. Sulmuesi portugez edhe më parë ka veshur fanellën e gjigantit anglez, ku nga janari i vitit 2023 qëndroi për gjashtë muaj në “Stamford Bridge”. Felix është shprehur shumë i lumtur që është rikthyer në Londër, pasi këtë e kishte në mendje që nga viti i kaluar.
“Jam shumë i lumtur që jam kthyer te Chelsea dhe mezi pres të filloj. Mund të shoh disa fytyra të njohura nga hera e fundit që isha këtu, gjë që është gjithmonë e bukur dhe u thashë miqve dhe familjes se do të doja të kthehesha në Ligën Premier një ditë”, ka thënë Felix. “Ta bësh këtë me Chelsean është një ndjenjë e mrekullueshme dhe jam i emocionuar që jam rikthyer. Tani dua të fitoj me klubin tim të ri”, ka shtuar Felix.
Rikthimin e Felix në klub e ka mirëpritur edhe trajneri i ri i Chelseat, Enzo Maresca, duke thënë se ai mund të luaj në pozita të ndryshme.
“Ai është një lojtar i mirë dhe klubi tashmë e njeh atë prej nga dy vjet më parë. E mira e Zhoaos është se ai mund të luajë në pozicione të ndryshme me ne, si në qendër, si numër 9 dhe në krah”, deklaroi Maresca.